Selam Alejkum (Paqja,bekimi dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi ju)....Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarëve Tu, na e premtove dhe në ditën e kijametit mos na turpëro; vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!

Pendimi dhe kerkimi i faljes kur ben mekat.

ADMIN | 13:02 | 0 comments


komentar_i_librit_rijadu_salihin_1
Ebu Hurejra radijAllahu anhu thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ve selem duke thënë: “Pasha Allahun, vërtet unë i drejtohem Allahut me teube dhe istigfar më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë. ’’ Transmeton Buhariu.
El Egarr ibën Jesar el Muzeni thotë: “Ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve selem: “O ju njerëz, pendohuni tek Allahu dhe kërkoni falje nga Ai. Vërtet unë pendohem tek Ai njëqind herë në ditë. ’ Transmeton Muslimi.
Shpjegimi
Më herët sqaruam atë që përmendi autori, Allahu e mëshiroftë, në lidhje me obligueshmërinë e pendimit dhe kushtet e tij dhe u ndalëm tek ajetet që përmendi ai, të cilat aludojnë për obligueshmërinë e pendimit. Këto dy hadithe autori, Allahu e mëshiroftë, i ka përmendur që të argumentohet për këtë çështje edhe me Sunnet, ngase sa më shumë të grumbullohen argumentet për një gjë, aq më e fortë do të jetë ajo, më e vërtetuar dhe më obligative. Ai përmendi hadithin e Ebu Hurejrës radijAllahu anhu, ku Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve selem është betuar për Allahun se ai kërkon falje dhe pendohet tek Allahu më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë, edhe pse ai ishte i Dërguari i Allahut, të cilit Allahu ia ka falur gjunahet e kaluara dhe të ardhmet, por ai kërkonte falje tek Allahu më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë.
Kurse në hadithin e El Egarr ibën Jesar el Muzenit, ai sal-lAllahu alejhi ve selem thotë: “O ju njerëz, pendohuni tek Allahu dhe kërkoni falje tek Ai. Vërtet unë pendohem tek Allahu njëqind herë në ditë. ”
Këto dy hadithe tregojnë obligueshmërinë e pendimit ngase Muhamedi sal- lAllahu alejhi ve selem ka urdhëruar për pendim me fjalët: “Oju njerëz, pendoh­uni tek Allahu”. Nëse njeriu pendohet te Zoti i tij, me këtë arrin dy dobi:
E para: Zbatimi i urdhrit të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ve selem, pasi në zbatimin e këtij urdhri është e mira dhe lumturia e kësaj jete dhe e jetës tjetër.
Dobia e dytë: Pasimi i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve selem, i cili pendohej tek Allahu njëqind herë në ditë, domethënë thoshte “pendohem tek Allahu, pendohem tek Allahu… ”,
Që pendimi të jetë në rregull, patjetër duhet të jetë i sinqertë, në mënyrë që kur njeriu të pendohet tek Allahu, të largohet nga mëkati përnjëherë. Kur njeriu pendohet me gjuhën e tij, por zemra e tij është e fundosur në bërjen e mëkatit apo në lënien e obligimit ose pendohet tek Allahu me gjuhën e tij, kurse me gjymtyrët e tij vazhdon të bëjë mëkate, pendimi i tij nuk i bën dobi, madje më shumë i ngjan talljes me Allahun azze ve xhel-le.
Nëse njeriu do të sillej me një person tjetër me këtë sjellje, ai do të thoshte se ky person po tallet me mua! Si distancohet nga një gjë që gjendet tek unë, kur ai vetë është i zhytur në të? Kjo s’është tjetër veçse tallje dhe lojë. E si do të ishte çështja me Zotin e botëve?
Disa njerëz thonë se janë penduar nga kamata, por vazhdojnë ta përdorin qartazi ose në formë intrige e mashtrimi. Kemi konstatuar se kush e përdor kamatën në formë intrige dhe mashtrimi, ka më shumë mëkat se ai që e përdor haptazi, ngase ky person në fakt ka hyrë në mëkat dy herë: së pari që përdor kamatën dhe së dyti që tenton të mashtrojë Allahun e Lartësuar. Ata që e përdorin kamatën haptazi janë të shumtë në ditët e sotme, por çështja e tyre është e qartë. Mirëpo disa njerëz e përdorin kamatën në formë tradhtie dhe mashtrimi. Për shembull, dikush ka mail stok në dyqanin e vet, vjen një i pasur me një të varfër dhe e çon në shkatërrim, kërkojmë mbrojtje nga Allahu! Shkon ky i pasuri te pronari i dyqanit tek i cili gjendet ky mall dhe ia shet këtij të varfri artikullin në formë borxhi me një shitje formale. Që të gjithë e dinë se kjo shitje nuk është reale, ngase blerësi në këtë rast borxhliu nuk e merr atë artikull, nuk e shikon dhe as që i intereson, madje sikur t’i kishte dërguar qese me rërë, se gjoja janë oriz apo sheqer, do t’i kishte marrë ngase nuk i intereson fare artikulli në fjalë. Atij i intereson të realizojë një nevojë, kështu që ky i pasuri t’ia shesë të varfrit një artikull për 10 mijë rialë borxh (2000 euro) për një vit dhe të përfundojë kjo tregti pa e marrë artikullin i varfri. Pastaj i varfri ia shet këtë artikull pronarit të dyqanit për 9 mijë rialë (1800 euro) aty për aty. Kështu ky i varfër shfrytëzohet në dy mënyra: nga ai që i ka dhënë borxh artikullin dhe nga pronari i dyqanit dhe këtë mënyrë e quajnë të saktë, madje e quajnë korrigjim. Ata thonë: “Eja të ta korigjoj pasurinë apo të të korigjoj atë dhe këtë. I lartësuar qoftë Allahu, a është kjo gjë korigjim?! Kjo është zhytje në mëkate. Allahu na mbrojtë!
Nëse pretendojmë se jemi të sinqertë në pendim, atëherë është detyrë për ne të largohemi realisht nga mëkatet, t’i urrejmë ato, të bëhemi pishman që i kemi bërë, në mënyrë që pendimi ynë të jetë i sinqertë.
Këto dy hadithe tregojnë që i Dërguari ynë Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve selem ka qenë më adhuruesi nga të gjithë njerëzit dhe sigurisht që është kështu ngase ai i është frikësuar Allahut më shumë se ne, ka qenë i devotshëm më shumë se ne dhe e ka njohur Allahun më shumë se ne.
Ky hadith tregon gjithashtu që Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve selem ka qenë mësues i së mirës me fjalën dhe veprën e tij.
Ka kërkuar falje nga Allahu dhe i ka urdhëruar njerëzit të kërkojnë falje, derisa e kanë pasuar atë.
Ky është këshillimi i përkryer i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve selem ndaj ummetit të tij. Edhe ne duhet të marrim shembull prej tij; nëse urdhërojmë njerëzit për një gjë, të jemi të parët që e praktikojmë atë. Nëse i ndalojmë të tjerët prej një gjëje, të jemi të parët që e ndalim veten prej saj, ngase kjo është thirrja re­ale për tek Allahu azze ve xhel-le, të veprosh atë që je i urdhëruar të bësh dhe të lësh atë që e ke të ndaluar. Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve selem na urdhëron për pendim, por vetë pendohet më shumë se ne. E lus Allahun të më falë mua dhe ju dhe të na udhëzojë në rrugën e drejtë! Nga Allahu vjen suksesi.
Hadithi 13 dhe 14\
Shkeputur nga libri “Rijadu Salihin”
Autor Imam Neveviut
me shpjegim te shejh Uthejminit (Allahu e meshirofte)

Category:

About GalleryBloggerTemplates.com:
GalleryBloggerTemplates.com is Free Blogger Templates Gallery. We provide Blogger templates for free. You can find about tutorials, blogger hacks, SEO optimization, tips and tricks here!

0 comments