I DËRGUARI, SALALLAHU ALEJHI UE SELEM DHE VAPA
Jeta e të Dërguarit është përplot mësime dhe porosi. Ajo është e mbushur me këshilla që na orientojnë në atë çka është e mirë dhe e dobishme për ne dhe na tërheq vërejtje për t'u larguar nga rrugët e këqija, që janë të dëmshme dhe sterrë për ne.
Ajo përmban urtësi për zgjidhjen e problemeve dhe vështirësive që ndodhin në ngurtësitë dhe qorsokaket jetësore. Është e pajisur me mrekulli që na ndihmojnë në qetësimin e shpirtit dhe zemrës nga dilemat shoqërore. Dhe është shembull i gjallë, që na bën të mundur të forcohemi në rrugën e drejtë, në ndjekje të hapave të tij dhe me besim në të vërtetën dhe thirrjen e tij.
Të gjitha thëniet e tij që lidhen me të ardhmen, janë duke u realizuar në kohën që po jetojmë. Jemi dëshmitarë të kësaj që po jetojmë. Tërë ky realitet dhe vërtetim i ngjarjeve të parathëna nuk mund të jenë tjetër përpos se Shpallje Hyjnore. Çdo gjë për të cilën na ka paralajmëruar, është duke u pasqyruar edhe në ditët tona, e do të vijojë kështu deri në Ditën e Gjykimit. Por, nga ana tjetër, kemi edhe ngjarje që, ndonëse kanë zënë vend në kohën e tij, rishfaqen si dukuri edhe sot, duke marrë një pamje brenda nesh dhe për ne.
Një dukuri e tillë është edhe thatësira; më se njëherë në jetën e të Dërguarit, toka përjetoi thatësira të mëdha. Dielli çlironte nxehtësi të madhe, aq sa rrezet e tij ishin përvëluese dhe të padurueshme. Temperatura ishin të larta. Një vapë e madhe dhe mbytëse kaploi tërë vendin. Nxehtësia kish hyrë në çdo pjesë të tokës dhe askund nuk dukeshin shenjat e gjallërimit. Thatësirat filluan të shtrihen edhe më tutje, ndërsa toka nuk jepte kurrfarë fryti. Kjo gjendje i shqetësoi sahabët. Ata u brengosën pa masë për atë nxehtësi që s'ishte parë qëmoti, andaj edhe habiteshin me çka po përjetonin. Kjo u bë shkak për rritjen e ndjeshme të përkushtimit dhe adhurimeve, ngase druheshin se mos ndoshta një gjendje e tillë është rezultat i veprave të tyre. Kjo i nxiti që të pyesin të Dërguarin dhe t'i thonë t'i lutet Allahut për zbritje të një shiu të bereqetshëm. Pas lutjes së të Dërguarit në namazin e xhumasë, qielli i kaltër filloi të mbulohej nga re, që zbrazën një shi aq të bereqetshëm, sa thatësirën e shndërroi në lulëzim; reshjet ishin aq të dobishme, sa dëshpërimin e sahabëve e shndërroi në gëzim...
Kjo ishte ajo çka përjetoi i Dërguari dhe sahabët. Në fillim i kaploi paniku i gjendjes së mjerueshme, më pas, falë besimit tek Allahu, u shpërblyen me reshje të bereqetshme. E njëjta gjendje është duke u pasqyruar edhe në kohët e sotme, është duke marrë fotografi e pamjen të njëjtë. Shenjat që po ndodhin sot, janë thuajse të njëjta sikundërse në kohën e të Dërguarit. Rezultatet që po shfaqen, po dalin të njëjta. Pra, çdo gjë e njëjtë si në kohën e të Dërguarit. Ndryshimi mbetet vetëm çështjen emërtimi, ku ndoshta koha jonë është duke bërë të veten.Tani kjo gjendje njihet si Nxehtësi Globale. Është një gjendje që ka krijuar panik në tërë rruzullin tokësor.
Njerëzimi po skapullohet prej makthit. Përfundimet e analizave sa vjen dhe po pasqyrojnë vetëm kahje negative. Përmirësimi s'po shihet askund. Është gjendje mjeruese, e cila ka arritur të kthehet në tematikë parësore në çdo takim. Sakaq, shenjat e shprangosjes nga kjo gjendje janë ende larg, shumë larg. Mbarë njerëzimi ka mbetur i tromaksur nga ajo çka po përjeton çdo ditë e më tepër. Në kujtesën e tij, e ka të vështirë të kujtojë një gjendje të ngjashme.
Thatësira dhe mjerimi është duke përparuar nga të gjitha anët. Gjallërimi s'po shihet askund dhe se vendin e saj e ka zënë vdekja. Lulëzimi është shuar dhe në vend të tij është ngjallur thatësira. Njerëzit janë duke vuajtur frytet e saj. Kemi harruar kohën kur shiu u zbraz të fundit herë nga qielli.Toka është bërë e thatë dhe shumëkush e ka harruar pamjen e saj të dikurshme, aso kohësh kur ishte pjellore.
Temperaturat janë gjithnjë e më të larta, gjithnjë e më larg normales. Nxehtësia ka kapulluar tërë globin. Njerëzit janë të hutuar nga kjo dhe nuk po dinë çfarë të bëjnë. Kjo gjendje na kujton Luftën e Dytë Botërore, ku pas saj gjendja ishte bërë shkrumb e hi dhe asgjë. Sot kemi thatësirë dhe asgjë. Nxehtësia globale është ka kaluar në një larushi interpretimesh, nisur nga këndvështrime të ndryshme. Pjesa dërrmuese e shkencëtarëve shprehen se shkak për këtë gjendje janë aktivitetet njerëzore, si përgatitjet për bombën atomike, çlirimi i energjive të ndryshme nukleare, përdorimi i mjeteve dhe materialeve të ndryshme të natyrës reaktive etj...
Në fakt, nëse ndalemi dhe mendojmë rreth kësaj çështjeje, do të shohim se vërtet shkaktar i kësaj që po ndodh është njeriu, mirëpo me një aspekt tjetër dhe me një kahje më të qartë shpjeguese sesa thonë ata.
Allahu e la tokën në amanetin tonë, që të sillemi mirë dhe të jemi të kujdesshëm ndaj saj. Na tregoi rrugët në bazë të të cilave duhet të orientojmë jetën tonë. Na dha ligje dhe zakone të cilave duhet t'i zbatojmë, me qëllim që të fitojmë pëlqimin e Tij dhe të vendosim rendin paqësor në tokë. Shpalli ndalesa, që t'u largohemi atyre dhe të mbrohemi nga sherri dhe zullumi që vjen si rezultat i tyre.
Mirëpo, njeriu bashkëkohor nuk po përfill asgjë. I ka harruar të gjitha këto obligime që ka ndaj Allahut. Jetën e tij është duke e orientuar vetëm në bazë të urdhrave epshore. Prandaj ajo ka marrë një kahje të gabuar. Si pasojë e kësaj, e keqja sa vjen dhe po fiton një terren gjithnjë e më të madh. Zullumi është duke marrë hov të madh, e veçanërisht zullumi i shteteve më të forta ndaj atyre më të dobëta.
Shtypja ndaj vendeve të vogla po shtohet, ndërsa ndaj vendeve tjera po zgjerohet fusha e tyre. Sundimi ndaj popujve më të dobët është bërë normale, madje, po quhet si çlirim e mbrojtje e tyre. Uzurpimin e tokave me qëllim të " vendosjes së qetësisë " po e paraqesin si shenjë humanizmi ndaj tyre. Luftën që po zhvillojnë për marrje të pasurisë e trajtojnë sulm ndaj terrorizmit. Shkeljen e të drejtave të njeriut e konsiderojnë respektim të ligjeve të tyre dhe se me këtë kanë për qëllim vendosjen e paqes dhe stabilitetit. Degjenerimin e rinisë dhe futjen e saj në vepra të fëlliqura e konsiderojnë si respektim të lirisë së të rinjve dhe çlirim nga prangat rinore. Me fjalë tjera, i tërë ky zullum dhe sherr që po bëhet, po paraqitet si sukses dhe përparim, ndërsa e mira s'po njihet dhe as po shihet gjëkundi, madje, po shihet si e humbur vlere.
E tërë kjo po kryhet nga njeriu bashkëkohor, nga ai që thotë se shkak të kësaj që po përjetojmë janë aktivitetet njerëzore. Prandaj, fajin mos e lëmë jetim, mirëpo merre mbi vete, ngase edhe ti je një pjesë e saj. Kjo është si rezultat i veprave tona, me fjalë tjera: çka po mbjellim, atë edhe po korrim.
Si jemi ne, janë edhe veprat tona. Aktivitetet tona po mbështeten në sherr dhe zullum. Kjo po tregon se ne jemi duke e merituar një dënim të tillë, pra, dënimin e nxehtësisë globale. Mirëpo, kjo është edhe rezultat i mëshirës së Allahut ndaj nesh; po na ndëshkon vetëm me këtë dënim, ndërkohë që meritojmë...
Pra, na ka mbetur të jetojmë me shpresë se do të përmirësohemi. Kuptohet, nëse dëshirojmë shpëtim në këtë botë dhe shpërblim në botën tjetër, se përndryshe na godet dënimi i Allahut, siç ka goditur popujt para nesh.
Category:
0 comments