Kërkimi i ndihmës prej dikujt tjetër përveç Allahut është shirk.
Allahu xh.sh. thotë: “Dhe sa burra ka patur prej njerëzve që kërkonin ndihmë prej disa xhinëve dhe ashtu ua shtonin edhe më shumë frikën (reheka).”[1]
Në thënien e autorit “Kapitull: Kërkimi i ndihmës prej dikujt tjetër përveç Allahut është shirk”, kërkimi i ndihmës do të thotë: të kapurit fort mbas diçkaje dhe përgjërimi. Kështu ai që kërkon ndihmën e Allahut largohet prej gjithçkaje që e dëmton dhe e lëndon atë dhe niset drejt Zotit dhe Pronarit të tij, duke u kapur fort pas ndihmës dhe përkrahjes së Tij. Ky është një ilustrim, sepse sakrifica e zemrës për t’u drejtuar tek Allahu, për t’u kapur fort pas Tij, për t’u përgjëruar para Tij, për t’u treguar i varfër para Tij dhe për t’iu nënshtruar Atij, nuk mund të përshkruhet me fjalë. Këtë e thotë Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë.
Ibn Kethiri thotë: “Kërkimi i ndihmës është kthim tek Allahu dhe qëndrim pranë Tij i mbrojtur nga e keqja e çdo të keqi. Kërkimi i mbrojtjes bëhet për të larguar të keqen dhe përgjërimi për të kërkuar të mirën.”
Them se kjo është një nga adhurimet për të cilat ka urdhëruar Allahu a.xh., ashtu siç thotë në një ajet: “E nëse ty të ngacmon ndonjë ngacmim prej shejtanit kërko mbrojtje tek Allahu. Vërtet Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi!”[2]
Shembuj të tillë janë të shumtë në Kuran: “Thuaj: Kërkoj mbrojtjen e Zotit të agimit”[3] dhe “Thuaj: “Kërkoj mbrojtjen e Zotit të njerëzve””[4]
Gjithçka që përbën adhurim për Allahun nëse i dedikohet dikujt tjetër përveç Tij është shirk. Ai që ia dedikon një pjesë të këtyre adhurimeve dikujt tjetër përveç Allahut e konsideron atë tjetrin ortak bashkë me Të në adhurim dhe e ka konkuruar atë me Zotin e tij në të qenit Zot. Po ashtu edhe ai që falet për Allahun dhe për dikë tjetër përveç Tij konsiderohet adhurues i dikujt tjetër përveç Allahut, pa asnjë dallim, siç do të sqarohet më poshtë, në dashtë Allahu.
Rreth thënies së autorit “Allahu xh.sh. thotë: “Dhe se burra ka patur prej njerëzve që kërkonin ndihmë prej disa xhinëve dhe ashtu ua shtonin edhe më shumë frikën”Ibn Kethiri thotë: “Ajeti do të thotë: Ne e shihnim veten me të mirë se njerëzit, sepse ata kërkonin ndihmë prej nesh, pra ata zbrisnin nëpër lugina, vende të shkreta dhe stane etj., siç ishte zakoni i arabëve në periudhën e injorancës së tyre dhe kërkonin ndihmë prej xhindit më të madh të atij vendi që t’i mbronte prej të keqes së tyre. Kështu vepronin ata që futeshin në vendin e armikut të tyre në shoqërinë e një burri të madh të mbrojtur dhe të ruajtur. Kur xhindet e vunë re se njerëzit kërkonin ndihmë prej tyre prej frikës që kishin ndaj tyre, ua shtuan akoma dhe më shumë frikën, për t’i bërë ata që të kërkonin edhe më shumë ndihmë.”
Derisa thotë: “Ebu Alije, Rebia dhe Zejd bin Eslemi mendojnë se fjala “reheka” do të thotë frikë. Aufi përcjell prej Ibn Abasit se “ua shtonin edhe më shumë frikën(reheka)” do të thotë: “gjynahet”. Po kështu thotë edhe Kudate.
Kur një burrë arab ngryste në një luginë dhe e zinte frika apo tmerri ai thoshte: “Kërkoj mbrojtjen e të parit të kësaj lugine kundër mendjelehtëve të popullit të tij”, ku kishte për qëllim xhindin më të madh. Dijetarët janë pajtuar me qëndrimin, se nuk lejohet kërkimi i ndihmës nga xhindet.
Mulla Ali Karri Hanefiu thotë: “Nuk lejohet kërkimi i mbrojtjes nga xhindet. Allahu xh.sh. i ka kritikuar jobesimtarët për këtë” dhe përmendi ajetin: “Përkujto ditën, kur Ai do t’i tubojë ata të gjithë (e u thotë): “O bashkësi e xhindeve! Ju mashtruat shumë njerëz!” Disa njerëz, që ishin miq të tyre (të xhindeve) thonë: “Zoti ynë! Ne përfituam nga njëri-tjetri dhe e arritëm afatin të cilin e caktove!” (Zoti) Tha: “Zjarri është vendi juaj. Përgjithmonë do të mbeteni në të, përveç asaj që dëshiron Allahu.” Vërtet, Zoti yt është i Urtë, i Dijshëm.”[5] Pra, përfitimi i xhindeve nga njerëzit është madhërimi që ata iu bëjnë atyre, kërkimi i ndihmës prej tyre dhe nënshtrimi ndaj tyre.”
Autori thotë: “Ajeti tregon, që nëse prej diçkaje përfitohet një interes i kësaj bote, kjo nuk do të thotë se ajo nuk është shirk.”
Category:
0 comments